Você está na página 1de 2

Të folurit e së vërtetës

Të folurit e së vërtetës është gjëja më madhështore e karakterit njerëzor ...

Autor: Muhammed el-Kudri


Shkëputur nga libri: "Kodi Social dhe Moral në Islam"

Të folurit e së vërtetës është gjëja më madhështore e karakterit njerëzor dhe se e njëjta është
urdhëruar nga Islami kundrejt pasuesve të tij, edhe atë me theks të madh. Më tej, ajo është
atribut i të Dërguarve të Zotit. Për shembull, Ibrahimi dhe Ismaili, alejhimus-selam, janë
lavdëruar në Kur'anin Famëlartë në lidhje me këtë. Konkretisht, në ajetin 41 të kaptinës 19,
Ibrahimi, alejhi selam, përmendet si pejgamber i çiltër, kurse Ismaili, alejhi selam, përmendet
si i besueshëm në mbajtjen e premtimeve, në ajetin 54 të kaptinës së njëjtë.

Për më tej, e vërteta është dritë, gjersa e pavërteta është errësirë dhe se ashtu siç shuhet
errësira kur vjen drita, ashtu zhduket edhe e pavërteta kur të vijë e vërteta. Njeriu më i mirë
është ai që është i dëlirë në zemër dhe i çiltër në gjuhë. E vërteta mund të jetë e hidhët, porse
është e këndshme në rezultatet-shpërblimet e saj. Pra, me një fjalë, ajo kontribuon në
qetësimin e mendjes dhe i mënjanon dyshimet dhe shqetësimet, definitivisht.

Argumente nga Kur'ani

1) "Allahu tha: "Kjo është dita që të drejtëve u bën dobi drejtësia e tyre. Ata kanë xhennete
në të cilët rrjedhin lumenj, janë për jetë të pasosur në to. Allahu është i kënaqur me ta dhe
ata janë të kënaqur ndaj Tij. Ky është shpëtim i madh!" (Kur'an, 5: 119).
2) "O ju që besuat! Ta keni në kujdes Allahun dhe të jeni me ata të drejtët!" (Kur'an, 9: 119).
3) "Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e
realizuan premtimin duke dhënë jetën si dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe
ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi. Që Allahu t'i shpërblejë të vërtetët për sinqeritetin e tyre e
hipokritët t'i ndëshkojë, nëse do, ose t'ua falë atyre; Allahu është që fal shumë, është
Mëshirues!" (Kur'an, 33: 23-24).
4) "O ju besimtarë, pëmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta!" (Kur'an, 33:
70).
5) "E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë ata të ruajturit!" (Kur'an,
39: 33).

Argumente nga Sunneti

1. Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, një
herë, qe pyetur: "Cili prej njerëzve është më i miri?", ndërsa ai i është përgjigjur: "Gjithsecili
se ai që është i dëlirë në zemër dhe i çiltër në gjuhë!". Më pas, njëri prej të pranishmëve pati
thënë: "Ne e dimë se çfarë është të qenët i çiltër në gjuhë, por çfarë do të thotë të qenët i
dëlirë në zemër?", kurse ai ia pati kthyer: "Ajo do të thotë të jesh i pastër dhe i devotshëm e
pa mëkate, mbi të cilin nuk ka shkelje (normash (sh.p.)), as mashtrim (gënjeshtër) e as
shpirtligësi!". [Transmeton ibën Maxhe]
2. Abdullah ibën Mes'udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam,
ka thënë: "Fliteni të vërtetën, sepse e vërteta shpie në devotshmëri, e devotshmëria shpie në
Xhennet. Më tej, njeriu vazhdon ta flasë të vërtetën si dhe ta zbatojë atë derisa te Allahu
regjistrohet si njeri i çiltër. Ndërkaq, ruajuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra shpie në mëkat,
e mëkati shpie në Xhehennem. Më tej, njeriu vazhdon të gënjejë dhe të jetë vazhdimisht afër
gënjeshtrës derisa te Allahu të regjistrohet si gënjeshtar!". [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
3. Hasan ibën Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon se ka mbajtur në mend (tri fjalë)
nga Pejgamberi, alejhi selam, edhe atë: "Shmangiuni asaj që është e dyshimtë dhe afrojuni
asaj që nuk është e dyshimtë, për shkak se e vërteta është qetësi e mendjes, ndërsa e
pavërteta është dyshim!". [Transmeton Tirmidhiu]
4. Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon: "Kam arritur të kuptoj se Lukmani, i urti,
është pyetur: "Si ke arritur ta fitosh atë që ne e shohim si epërsi?", kurse ai është përgjigjur:
"Vërtetësi në të folur, përmbushje të premtimit dhe heqje dorë prej asaj që nuk ke dobi!".
[Transmeton Mutta]
5. Ubejde ibën Suamet (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka
thënë: "Nëse m'i garantoni gjashtë gjëra, unë jua garantoj Xhennetin; ta flisni të vërtetën, ta
përmbushni premtimin, ta çoni në vend emanetin, t'i ruani organet e turpshme, ta ulni
shikimin dhe t'i ruani duart tuaja!" [Transmeton Bejhekiu]
6. Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon: "Një ditë vajta te i Dërguari i Allahut,
alejhi selam. Ai mbajti një ligjëratë shumë të gjatë. Pas kryerjes së saj, i thashë: "Më këshillo
diçka, o i Dërguari i Allahut!", ndërsa ai ma ktheu: "Të këshilloj të kesh frikë ndaj Allahut,
meqë ajo (frika ndaj Allahut) është stolia më e mirë për të gjitha punët tua!" Më pas, unë
prapë i thashë: "Më këshillo diçka më shumë, o i Dërguari i Allahut!" – "Lexoje Kur'anin më
shpesh dhe mos e harro të Lartmadhërishmin, ngase në këtë mënyrë përmendesh nga engjëjt
në qiell!" – më tha ai. "Më këshillo ende!" – i thashë unë. "Hesht më shumë e fol më pak,
ngase kjo është mënyrë e mirë për ta larguar shejtanin e mallkuar dhe, njëashtu, është
përforcues i imanit!" – ma ktheu ai. Përsëri i kërkova të më këshillojë e ai më tha: "Mos qesh
pa masë, ngase e qeshura e tepërt e vdes zemrën dhe e zbeh shkëlqimin e fytyrës!" Edhe më
tej i kërkova këshillë, e ai më tha: "Thuaje të vërtetën, madje edhe nëse të duket e hidhur!"
Në herën e fundit që i kërkova këshillë, më tha: "Mos u frikëso ndaj thashethemeve të
shpifësve dhe le të të shërbejë ajo që ti di për veten tënde si mbrojtje kundrejt përgojimeve të
përgojuesve!" [Transmeton Bejhekiu]

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI

Você também pode gostar