Você está na página 1de 2

Ashtu si dashuria libri nuk vdes kurre

Ditë më parë, duke punuar rraskapitshëm, ndesha në një kanal, ku po transmetohej një farë spoti i
gjatë, apo lajmërimi për diç që gatitej të vinte. Kam përshtypjen si ishte te Katra apo Pesa, por s’jam
fort i sigurt (dhe thënë këtë, siç theksoja në një Zarf të shkuar, sa shumë qenka i pambrojtur
ideologjikisht telespektatori krahasuar me lexuesin e gazetave, e cili e di me siguri se kush po i flet).
Qenë duke u reklamuar çudanet Cd-rom, disqet që mund të na ofrojnë të njëvlershmen e një
enciklopedie të tërë, me ngjyra, tinguj dhe mundësisht me lidhje të menjëhershme nga argumenti në
argument. Meqenëse po krijoj një farë përvoje në këtë fushë, e pra e njoh argumentin, po e ndiqja
ngulazi. Derisa, në një farë pike, dëgjova emrin tim: po thuhej se unë do ta pranoja se këto disqe do
të zëvendësojnë përfundimisht librat.Askush, nëse nuk është paranojak, s’mund të mëtojë që të tjerët
të lexojnë gjithçka që ai shkruan, por të paktën mund të shpresojë që mos t’i thonë të kundërtën,
sidomos nëse po e përdorin, paligjshëm, si dëshmitar të diçkaje. Në të vërtetë po e përsëris fort e më
fort se Cd-rom “nuk” mund të zëvendësojë librin. Ose ai që e ka shtriqur atë tekst është një i marrë,
ose është një gënjeshtar. Nuk ka mundësi të tjera. Në çdo rast, lipsej që të sterilizoheshin prindërit e
tij prej kohësh, pse tashmë dëmi është bërë.

Ka dy lloje librash. Ato për t’u konsultuar dhe ato për t’u lexuar.
Të parët (prototip është lista telefonike, por mund të shkohet deri te fjalorët dhe enciklopeditë) zënë
shumë vend në shtëpi, janë të vështirë për t’u manovruar dhe janë të kushtueshëm. Ata mund të
zëvendësohen nga disqet multi-medial, kështu lirohet hapësirë, në shtëpi në biblioteka publike, për
librat për të lexuar (që shkojnë nga “Komedia hyjnore” te romani i verdhë më i vonë).

Librat për t’u lexuar nuk mund të zëvendësohen nga asnjë gjësend elektronik.
Janë bërë për t’u mbajtur në dorë, edhe në shtrat, edhe në barkë, edhe atje ku nuk ka spina elektrike,
edhe atje ku e kur çfarëdo lloj baterie shkarkohet, mund të nënvizohen, të përballojnë libërshënues
mund të bien në tokë, apo të braktisen hapur në dysheme, apo në gjunjë kur na merr gjumi, rrinë në
xhep, rrëgjohen, marrin një trajtë vetanake sipas intensitetit dhe rregullsisë së leximeve tona, na
kujtojnë (nëse na shfaqen shumë të freskët dhe të paprekur) se ende nuk i kemi lexuar, lexohen duke
mbajtur kokën si të duam ne, pa na detyruar të rrimë e të lexojmë të çimentuar në ekranin e
kompjuterit, miqësor në gjithçka përveçse me cervikalen. Provoni të lexoni gjithë “Komedinë hyjnore”,
edhe vetëm me nga një orë në ditë në kompjuter dhe pastaj më bëni me dije.

Libri për t’u lexuar i përket atyre mrekullive të teknologjisë së përjetshme, ku bëjnë pjesë rrota, thika,
luga, çekiçi, kutia, biçikleta. Thika u shpik shumë shpejt, biçikleta shumë më vonë. Po le të mundohen
sa të duan dizenjatorët, duke modifikuar ndonjë pjesë, thelbi i thikës mbetet gjithnjë i njëjtë. Ka
makina që e zëvendësojnë çekiçin, por për disa gjëra do të lypet ngaherë nevoja e diçkaje që ngjason
me çekiçin e parë, që s’është gjetur kurrë në koren e tokës. Mund të shpikni një sistem kambjoje
shumë të sofistikuar, por biçikleta mbetet ajo që është, dy rrota, një shalë dhe pedalet. Përndryshe
quhet motor dhe është tjetër gjë.Njerëzimi ka shkuar përpara nëpër shekuj duke lexuar dhe duke
shkruar fillimisht në gurë, pastaj në rrasa, pastaj në rrotulla, por ishte një mund i madh. Kur zbuloi se
fletët mund të lidheshin mes syresh, edhe pse ende dorëshkrime, lëshoi një ofshamë lehtësimi. Dhe
kurrë nuk mund të heqë më dorë nga ky mjet i mrekullueshëm.

Forma-libër është e përcaktuar nga anatomia jonë. Mund të jenë të stërmëdhenj, por së shumti ata
kanë funksionin e dokumentit apo zbukurimit; libri standard nuk duhet të jetë më i vogël se një paketë
cigare, apo më i madh se “Espresso”. Varet nga përmasat e dorës sonë, dhe këto - të paktën tash për
tash - nuk kanë ndryshuar, me paqtimin e Bill Gates-it. Është e vërtetë që teknologjia na premton
makina, me të cilat mund të eksplorojmë përmjet kompjuterit bibliotekat e gjithë botës, të përzgjedhim
tekstet që na interesojnë, t’i shtypim në shtëpi në pak sekonda, me germat që dëshirojmë – ashtu siç
na e lyp miopia, apo siç na e ka ënda nga ana estetike – teksa e njëjta fotokopje na i lidh kopjet, në
atë mënyrë që secili prej nesh të jetë në gjendje të krijojë vepra personale. Po pastaj? Do të zhduken
krijuesit, tipografitë, libërlidhjet tradicionale, por do kemi ndër duar, ende dhe ngaherë, një libër.

Você também pode gostar